18 operatorë të Njësive Speciale të Policisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses trajnimin njëmujor për avancimin e njohurive bazike në mjekësinë emergjente.

Ceremonia e ndarjes së certifikatave u mbajt në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), në kuadër të bashkëpunimit ndërmjet Policisë së Kosovës dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).

Trajnimi kishte për qëllim avancimin e njohurive dhe shkathtësive praktike të pjesëtarëve policorë për ofrimin e ndihmës së parë mjekësore në terren dhe reagimin fillestar në situata emergjente.

Përmes këtij trajnimi, operatorët fituan njohuri dhe përvojë praktike për përballimin e situatave të ndryshme emergjente shëndetësore, me synimin e rritjes së efektivitetit operacional dhe mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe pjesëtarëve të policisë.

Në ceremoninë e certifikimit morën pjesë përfaqësues të menaxhmentit të QKUK-së dhe Policisë së Kosovës, të cilët vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në zhvillimin profesional të personelit policor.

Në emër të Policisë së Kosovës, kolonelët Taibe Canolli dhe Mentor Shabani falënderuan SHSKUK-në, veçanërisht Klinikën Emergjente, për mbështetjen dhe përkushtimin profesional gjatë realizimit të trajnimit.

Policia e Kosovës dhe SHSKUK-ja riafirmuan gatishmërinë për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit edhe në të ardhmen, përmes aktiviteteve të përbashkëta që synojnë shkëmbimin e përvojave dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale.