Një incident serioz në vendin e punës ka ndodhur të hënën paradite në Lipjan, ku një 18-vjeçar është rrëzuar nga kulmi i një objekti nga një lartësi prej rreth 8 metrash.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 14 shtator, rreth orës 10:00, në rrugën “Avdi Kelmendi”, prapa Sach-Pica.
I lënduari, A.G., rreth 18-vjeçar, është dërguar me urgjencë në QKUK, ku fillimisht ishte raportuar se ndodhej në gjendje të rëndë dhe po i nënshtrohej ekzaminimeve mjekësore.
Sinjali mëson se i riu punon në firmën “Albinoti” nga Kaçaniku, kompani që merret me punime të llamarinës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse, ndërsa është përfshirë edhe Inspektorati i Punës për të verifikuar kushtet dhe masat e sigurisë në vendpunishte.
Në kuadër të veprimeve hetimore, në stacion është ftuar edhe pronari i objektit, Genc Morina, 47-vjeçar, i cili është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Rasti po trajtohet nën dyshimet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Në zhvillimin më të fundit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Ndërkohë, gjendja e 18-vjeçarit është stabilizuar dhe, sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Hetimet për të përcaktuar rrethanat e plota të incidentit dhe përgjegjësinë eventuale për masat e sigurisë po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.