Një incident serioz në vendin e punës ka ndodhur të shtunën në Shtime, ku një 23-vjeçar ka pësuar lëndime gjatë punës në një vendpunishte në rrugën “Adem Jashari”.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar rreth orës 09:00, pasi nga QKMF-ja në Shtime është njoftuar Policia se aty ishte sjellë një person i lënduar në vendin e punës.
Patrulla policore ka dalë në QKMF, ku ka kontaktuar viktimën, Edison Haliti, i cili ka deklaruar se ishte lënduar gjatë punës.
Pas trajtimit fillestar në Shtime, 23-vjeçari është dërguar me emergjencë në Ferizaj për trajtim të mëtejshëm mjekësor.
Policia më pas ka dalë edhe në vendpunishten ku kishte ndodhur incidenti.
Në kuadër të veprimeve hetimore, Albert Statovci, përgjegjës në kompaninë “Statovci” Sh.P.K., e cila po i kryente punimet, është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Për rastin janë njoftuar edhe inspektorët e punës, si dhe Prokurorja e Shtetit.
Rasti po hetohet nën dyshimet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit dhe kushtet e sigurisë në vendpunishte.