Shtatë raste të dhunës në familje janë raportuar në Policinë e Kosovës gjatë datave 30 dhe 31 tetor, në Prishtinë, Podujevë, Viti, Pejë dhe Deçan.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rastet përfshijnë dhunë fizike e psikike, kanosje dhe mosrespektim të vendimeve gjyqësore. Në mesin e viktimave janë bashkëshorte dhe familjarë, ndërsa në disa raste të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.

Në Prishtinë, një person është arrestuar pasi dyshohet se në gjendje të dehur kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes, duke e ofenduar me fjalë të ndryshme. Në një rast tjetër, një prind është kanosur dhe ofenduar nga djali i tij pas një mosmarrëveshjeje lidhur me shitjen e një pajisjeje për pastrimin e pishinës. I dyshuari në këtë rast ende nuk është hasur nga Policia.

Në Podujevë, një shtetas i Shqipërisë është arrestuar pasi dyshohet se kishte sulmuar fizikisht motrën e bashkëshortes së tij. Ndërkaq, në Viti, një person është arrestuar nën dyshimin se kishte kanosur babanë e tij pas një mosmarrëveshjeje.

Rast më i rëndë është raportuar në Pejë, ku një grua dyshohet se ishte përballur vazhdimisht me dhunë fizike dhe psikike nga bashkëshorti, ndërsa ishte kanosur edhe nga vjehrri. Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarve, Policia ka sekuestruar një pistoletë, dy karikatorë, 252 fishekë dhe një leje valide për armë. Të dyshuarit janë arrestuar, por vetëm njëri është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.

Po ashtu në Pejë, një person është arrestuar nën dyshimin se në vazhdimësi kishte ushtruar dhunë psikike ndaj bashkëshortes dhe e kishte kanosur atë.

Një rast tjetër është raportuar në Deçan, ku një person dyshohet se kishte ushtruar vazhdimisht dhunë psikike ndaj familjarëve të tij. Sipas Policisë, ai kishte marrë veturën familjare pa dijeninë e prindërve, si dhe një trotinet elektrik, të cilin më pas e kishte shitur. I dyshuari është dërguar në mbajtje.

Ndërkohë, në Prishtinë është raportuar edhe mosrespektimi i një vendimi gjyqësor nga një ish-bashkëshort, i cili dyshohet se nuk kishte paguar alimentacionin për fëmijët. Pas intervistimit, rasti ka vazhduar të hetohet.

Policia ka bërë të ditur se rastet janë duke u trajtuar nga organet kompetente.