Një 81-vjeçar dyshohet se ka privuar nga jeta bashkëshorten e tij 80-vjeçare në Prizren, ndërsa Policia e Kosovës ka ngritur dyshime se gruaja është vrarë me forcë duarthatë, pa përdorimin e ndonjë arme apo mjeti tjetër.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka dhënë detaje për rastin në emisionin FIVE, duke thënë se dyshimet janë ngritur pas ekzaminimit të vendit të ngjarjes dhe shenjave të evidentuara në trupin e viktimës.
Sipas tij, ende nuk dihet motivi i rastit, ndërsa hetimet janë duke vazhduar për të sqaruar rrethanat e plota.
“Vetëm nga shenjat në trupin e viktimës dhe nga provat në vendin e ngjarjes dyshohet se viktima është vrarë nga forca duarthatë, pa përdorur ndonjë armë apo mjet tjetër”, ka deklaruar Bytyqi.
80-vjeçarja dyshohet se u vra nga bashkëshorti në Prizren, Prokuroria jep detaje
I dyshuari, sipas Bytyqit, vazhdon të qëndrojë në deklaratën e tij se vdekja ka qenë aksidentale, por provat e mbledhura deri më tani, sipas tij, ngritin dyshime të tjera.
Ai ka bërë të ditur se çifti nuk ka pasur raste të mëhershme të dhunës të evidentuara në polici dhe se nuk ka pasur probleme apo raste të raportuara më herët mes tyre.
“Sa i përket motivit, ende nuk dihet”, ka thënë Bytyqi.
Sipas zëdhënësit të Policisë, në momentin e incidentit në shtëpi kanë qenë vetëm viktima dhe bashkëshorti i saj, i cili është arrestuar dhe është ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit të Shtetit. /RTVD/