Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur pasditen e së dielës në fshatin Muhovc të Ferizajt, ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, ka konfirmuar se aksidenti ka ndodhur rreth orës 16:30.

“Sot, më datën 09.08.2026, rreth orës 16:30, Policia ka pranuar informatën për një aksident trafiku me lëndime të rënda, i cili ka ndodhur në fshatin Muhovc të Ferizajt”, ka deklaruar Veseli.

Sipas tij, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore të Stacionit Policor dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, ndërsa është njoftuar edhe Emergjenca Mjekësore.

Në aksident është përfshirë një veturë me targa vendore, në të cilën ndodheshin dy persona.

Si pasojë e aksidentit, njëri prej tyre ka humbur jetën, ndërsa personi tjetër ka pësuar lëndime dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Ferizajt.

Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa njësitet kompetente të trafikut kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit./Telegrafi.