Agjencia Pyjore e Kosovës (APK), në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një aksion në komunën e Lipjanit, ku janë konfiskuar mjete të transportit të ngarkuara me masë drusore të prerë në mënyrë të kundërligjshme.

Sipas njoftimit, aksioni është realizuar nga Departamenti Regjional i Prishtinës, në kuadër të përpjekjeve për parandalimin e prerjeve ilegale dhe mbrojtjen e pyjeve publike nga dëmtimi.

Gjatë këtij aksioni janë konfiskuar dy traktorë dhe një kombi, të cilët ishin të ngarkuar me dru nga prerjet ilegale në pyjet publike.

Autoritetet përgjegjëse kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë angazhimet për mbikëqyrjen e pyjeve dhe parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme që dëmtojnë pasuritë pyjore të vendit.