Një aksion policor në rrugën “Xheladin Hana” në Prishtinë, ku gjatë kontrollit të disa personave ishte gjetur lëndë e dyshuar narkotike, ka eskaluar pasi një 23-vjeçar dyshohet se ka kundërshtuar zyrtarët policorë dhe ka shtyrë njërin prej tyre, mëson Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 19 gusht, rreth orës 21:30, derisa njësitet policore po kontrollonin disa persona të dyshuar.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë këtij intervenimi është gjetur edhe lëndë e dyshuar narkotike, ndërsa policët kanë nisur arrestimin e personave të përfshirë.

Në ato momente situata është tensionuar.

Albin Gashi 23-vjeçar dyshohet se ka kundërshtuar vazhdimisht veprimet e Policisë, ndërsa rezistenca e tij, sipas informacioneve të rastit, ka ardhur duke u intensifikuar.

23-vjeçari dyshohet se gjatë rezistencës ka shtyrë një zyrtar policor, pas së cilës edhe ai është arrestuar.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda, i cili ka udhëzuar që ndaj Gashit të iniciohet rasti për veprën penale “Pengimi i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.

Me vendim të Prokurorit, Albin Gashi është ndaluar për 48 orë, ndërsa procedurat e mëtejshme do të zhvillohen nga organet kompetente.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.