Dy vajza të mitura nga fshati Livoç i Epërm i Gjilanit janë raportuar të zhdukura, pasi janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe familjarët nuk kanë arritur të mësojnë vendndodhjen e tyre.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për dy vajza të lindura në vitet 2011 dhe 2013, për zhdukjen e të cilave familjarët janë paraqitur në Polici më 17 tetor, rreth orës 20:40.
Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, vajza më e vogël ishte larguar nga shtëpia më 16 tetor, para mesnatës, ndërsa familjarët nuk kanë arritur të mësojnë se ku ndodhej.
Ndërkohë, babai i vajzës tjetër ka deklaruar se e kishte parë për herë të fundit të bijën më 16 tetor, rreth orës 22:30.
Ai fillimisht kishte menduar se vajza kishte shkuar te shoqja e saj, por gjatë ditës, pas kontakteve me familjarët, kishte kuptuar se ajo nuk ndodhej as aty.
Pasi nuk kanë arritur t’i lokalizojnë, familjarët e të dy vajzave kanë kërkuar ndihmën e Policisë.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, ndërsa me udhëzim të tij është iniciuar procedura “Persona të zhdukur”.
Rasti i është kaluar Njësisë së Hetimeve Rajonale për veprime të mëtejshme dhe përpjekje për gjetjen e dy të miturave.
Deri në momentin e raportimit nuk kishte informacione për vendndodhjen e vajzave.
Për shkak se bëhet fjalë për të mitura, nuk publikohen të dhëna identifikuese të tyre.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.