Policia e Kosovës ka paralajmëruar qytetarët për mesazhe dhe dokumente të falsifikuara që po qarkullojnë duke përdorur në mënyrë të paautorizuar emrin, logot, vulat dhe madje edhe nënshkrime të falsifikuara të institucioneve të Kosovës.
Sipas Policisë, një prej dokumenteve që po shpërndahet nuk është njoftim zyrtar i këtij institucioni, ndaj qytetarët janë këshilluar që të mos u përgjigjen kërkesave të tilla.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të mos ndajnë të dhëna personale, dokumente apo informacione përmes adresave të dyshimta dhe të mos ndërmarrin veprime bazuar në mesazhe të pakonfirmuara.
Institucioni ka bërë të ditur se po ndërmerr veprimet e nevojshme për trajtimin e rastit dhe identifikimin e personave përgjegjës.
Qytetarëve u është kërkuar që për çdo informacion t’u referohen vetëm kanaleve zyrtare të institucioneve.
Policia ka dhënë edhe disa këshilla për qytetarët:
- Mos klikoni në linqe të dyshimta.
- Mos jepni të dhëna bankare apo personale.
- Mos hapni faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve.
- Nëse pranoni një mesazh të tillë, fshijeni menjëherë.
- Raportojeni rastin tek autoritetet përkatëse.
- Nëse keni ndarë të dhëna bankare, kontaktoni menjëherë bankën.
Rastet e tilla mund të raportohen përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose në numrin 192.