Një informacion i pranuar në orët e para të mëngjesit ka aktivizuar Policinë në Ferizaj, pasi u raportua se në një kafiteri në rrugën “12 Qershori” ishin mbledhur disa persona dhe dyshohej se mund të kishte armë, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur sot, më 18 gusht, rreth orës 03:10, në kafiterinë “Eclipse”.
Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, Policia kishte pranuar informacion përmes aplikacionit celular se brenda lokalit ndodheshin rreth 10 persona dhe ekzistonte dyshimi për posedim të armëve.
Njësitet policore kanë dalë në lokacion dhe kanë kontrolluar personat e pranishëm, si dhe hapësirat e kafiterisë.
Gjatë kontrollit nuk raportohet se është gjetur armë zjarri, por në banakun e lokalit është gjetur një sprej OC, për të cilin është konstatuar se i përkiste pronarit të kafiterisë.
Burimet bëjnë të ditur se pronari është Urim Tmava rreth 36-vjeç, i cili është arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor në Ferizaj për intervistim.
Spreji është konfiskuar, ndërsa për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar.
Me udhëzim të Prokurorit, ndaj Tmavës është iniciuar rasti “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i armës”.
Pas përfundimit të procedurave policore, 36-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet lidhur me rastin do të vazhdojnë sipas procedurave përkatëse.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.