Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë ka lëshuar një njoftim për qytetarët amerikanë lidhur me demonstratat e paralajmëruara për sot, 18 shtator, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Sipas njoftimit, disa organizata të mëdha kanë paralajmëruar mbajtjen e demonstratave duke filluar nga ora 12:00.

Ambasada paralajmëron se tubimet mund të shkaktojnë grumbullime të mëdha të njerëzve, mbyllje të rrugëve dhe pengesa të mëdha në qarkullimin e trafikut në zonat përreth.

Për këtë arsye, Ambasada amerikane u bën thirrje qytetarëve që të shmangin sheshin “Skënderbeu” dhe zonat përreth gjatë kohës së demonstratave.

Po ashtu, këshillohet që personat që mund të gjenden papritur pranë tubimeve të mëdha të tregojnë kujdes, të jenë të vëmendshëm ndaj rrethinës dhe të përcjellin mediat lokale për përditësimet e fundit.

Demonstratat janë paralajmëruar për të premten, 18 shtator, në orën 12:00 në qendër të Prishtinës.