Viktima Arlinda Zekaj më 22 tetor 2022 e kishte denoncuar kunatin e saj, Albert Sylaj, se i njëjti e kishte kanosur si dhe i kishte uzurpuar shtëpinë të cilën kishte deklaruar ta kishte bashkëpronësi me ish-bashkëshortin Jeton Sylaj.
Në deklaratën e siguruar nga Sinjali, Zekaj kishte deklaruar se që nga marrja e urdhër mbrojtës nga gjykata më 16 tetor, kunati Albert Sylaj me bashkëshorten, fëmijët dhe nënën e tij ishin vendosur në shtëpinë e saj pa pëlqim.
“Poashtu asnjëherë më parë nuk kanë jetuar aty por vetëm nga marrja e aktvendimit për urdhër mbrojtje. Unë jam bashkëpronarë, këta më kanë uzurpuar shtëpinë, nuk mundem me bashkëjetu me mu e as mysafir s’mund të jenë, kunati Alberti më ka kërcënuar me fjalët “Largomu, largomu se tmys” në momentin kur kom dashtë të marrë digitronin e televizorit, nuk pom lejon të jetoj aty, as në kuzhinë të marrë buke apo ujë e as televizionin me shfrytëzu, ashtu siç është dëgju në stacion policor ku ka bërtitur në të njëjtën mënyrë më ka bërtitur edhe mua në shtëpi, plus me jetë po më kërcënon”, kishte deklaruar Zekaj më 22 tetor.
Në anën tjetër, tashmë i dyshuari për vrasjen e saj, Albert Sylaj, në deklaratën e tij pranë Policisë ka mohuar ta ketë kanosur, derisa ka thënë se janë duke jetuar në shtëpinë e vëllait me lejen e tij prej tre apo katër muajsh.
Ai e ka mohuar se nuk e ka kërcënuar Arlinda Zekajn, duke pretenduar se ka qenë kjo e fundit që ka provokuar situatën.
“..kam shikuar televizor dhe Arlinda ka filluar që të bëjë skena dramatike me qëllim që të na provojë familjarët e mi dhe mua, ku e njëjta kur unë e kam lëshuar klimën e njëjta e ka ndalë, dua të cek se përderisa fëmija ishin duke i bërë detyrat e shkollës ajo e ka hap dritaren fëmija ka fillu të narthin duke ju pamundësuar që të bëjnë detyrat e tyre, dhe pastaj kur unë e kisha telekomandën e televizorit duke shiku televizorin, e njëjta është qu dhe ka tentuar që ta marrë me zor telekomandën dhe unë nuk e kam lejuar ku i kam thënë më lërë rahat dhe mos më provoko, ku pastaj ka ardh nana ime dhe e ka marrë telekomandën ku ja ka jep Arlindës dhe kaq ka qenë aty, ku pastaj në shtëpi është paraqit patrulla policore”, ka thënë Sylaj.
Sinjali ka raportuar më parë se gjyqtari Kastrati në aktvendimin e marrë më 16 tetor, i kishte ndaluar bashkëshortin e Zekajt, Jeton Sylaj që brenda shtëpisë ku jetonin të dy, t’i afrohej të njëjtës në distancë prej 2 metra.
Ndërsa në rrugë, qytet, shkollë apo vendin e punës në distancë prej 20 metra.
“.. në distancë prej 2 metra në shtëpinë ku është duke qëndruar tani pala e mbrojtur, në rrugë, qytet, fshat, shkollë apo vendin e punës në distancë prej 20 metra, si dhe i NDALOHET në të ardhmen të ushtroj dhunë fizike dhe psiqike, të bllokojnë lëvizjen e viktimës, ofendojnë, shqetësojnë dhe kërcënojnë palën e mbrojtur”, thuhet në aktvendimin e siguruar nga Sunjali.