Një mjek i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Leposaviq është arrestuar nën dyshimin se nuk e ka njoftuar Policinë për vdekjen e një gruaje, ndonëse vetë kishte dalë në vendngjarje dhe kishte konstatuar vdekjen e saj.

Policia ka bërë të ditur se rasti është raportuar më 9 shtator, rreth orës 10:50, në rrugën “Dositej Obradoviq” në Leposaviq, si rast i dyshimtë i vdekjes, shkruan Insajderi.

Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë kontaktuar me familjarët e viktimës, M.M., e lindur në vitin 1997. Familjarët kanë deklaruar se gruan e kishin gjetur pa shenja jete rreth orës 07:00.

Sipas Policisë, mjeku kujdestar kishte shkuar në vendin e ngjarjes dhe kishte konstatuar vdekjen, por rasti nuk ishte raportuar në Polici nga stafi mjekësor.

Gjatë hetimeve, policia ka marrë informacione se viktima kishte pasur probleme psikike dhe se kishte përdorur medikamente kundër depresionit.

Për këtë arsye, mjeku kujdestar është intervistuar si i dyshuar për veprën penale “Moslajmërim i veprës penale”.

Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërkohë, trupi i pajetë i gruas është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, me qëllim të përcaktimit të shkakut dhe rrethanave të vdekjes.

Hetimet për rastin po vazhdojnë.