Arrestohet personi i shpallur në kërkim për disa vepra të rënda penale

Prishtinë, 04 gusht 2026

Më datë 03.08.2026, pak pas orës 22:00, Policia e Kosovës, gjegjësisht zyrtarët e Policisë Kufitare, në SPMK-Muqivërcë, gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së vijës kufitare, në zonën e fshatit Karaqevë e Poshtme, kanë identifikuar një automjet të dyshuar duke lëvizur nga drejtimi i fshatit Breznicë/Serbi, në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës.

Pas vlerësimit të situatës, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme operative me ç’ rast automjeti është ndaluar në fshatin Novosellë, ku gjatë kontrollit policor, pasagjeri në automjet, i identifikuar si Egzon Reshani, ka tentuar t’i shmanget zyrtarëve policorë duke u larguar me vrap në drejtim të vijës kufitare, përkatësisht drejt fshatit Breznicë/Serbi.

Zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë dhe, pas veprimeve profesionale, kanë arritur ta ndalojnë dhe arrestojnë të njëjtin në afërsi të vijës kufitare, duke parandaluar largimin e tij nga territori i Republikës së Kosovës.

Ndaj të dyshuarit ekziston urdhërarrest aktiv dhe se i njëjti kërkohej nga organet e drejtësisë për disa vepra të rënda penale “Vrasje në tentativë”, “Fajde”, “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrim”.

Gjatë kontrollit të të arrestuarit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një thikë. Lidhur me këtë është kontaktuar Prokurori kompetent dhe, sipas udhëzimeve të tij, është iniciuar rast për veprën penale “Armëmbajtje pa leje”.

Pas përfundimit të procedurave të nevojshme nga Policia Kufitare, i dyshuari u është dorëzuar njësive kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, për procedura të mëtejme sipas urdhërarrestit dhe rasteve për të cilat kërkohej.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në mbikëqyrjen dhe kontrollin e kufirit shtetëror, parandalimin e aktiviteteve të kundërligjshme ndërkufitare, si dhe bashkëpunimin me njësitë tjera policore në lokalizimin dhe arrestimin e personave të kërkuar nga organet e drejtësisë.