Mbi 2 kilogramë marihuanë janë sekuestruar nga Policia e Kosovës gjatë kontrollit të një autobusi në pikën kufitare në Vërmicë, ndërsa një shtetas i Shqipërisë është arrestuar nën dyshimin për posedim dhe shpërndarje të paautorizuar të narkotikëve.

Rasti ka ndodhur më 8 shtator 2026, gjatë realizimit të planit taktik “Transporti”, të zhvilluar nga njësitë policore të Stacionit Policor Kufitar (SPK) në Vërmicë, në bashkëpunim me zyrtarët doganorë.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, gjatë këtij operacioni janë profilizuar dhe selektuar për kontroll të vijës së dytë automjete dhe persona me potencial kriminal.

Në mesin e automjeteve të ndaluara për kontroll ishte edhe një autobus që po kalonte kufirin nga Republika e Shqipërisë drejt Republikës së Kosovës.

Gjatë kontrollit të autobusit dhe bagazheve personale të pasagjerëve, në çantën e krahut të të dyshuarit, shtetas i Shqipërisë, është gjetur një qese me lëndë narkotike të llojit marihuanë, me peshë rreth 2.162 kilogramë.

Lidhur me rastin, në vendngjarje kanë dalë njësitë përkatëse policore, të cilat kanë trajtuar rastin dhe kanë administruar provat materiale.

Për rastin është njoftuar edhe prokurori kompetent, me vendim të të cilit është iniciuar rasti për veprën penale “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.