Për hajnat mund të ketë qenë bakër për t’u shitur. Për “Trepçën”, dëmi i raportuar shkonte deri në 80 mijë euro.
Më shumë se katër muaj pas vjedhjes së pjesëve të brendshme të dy transformatorëve të “Trepçës” në Mitrovicë, hetimet kanë çuar te tre persona që tashmë dyshohen se qëndrojnë prapa këtij rasti.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për Bajram Selmanin, Arsim Selmanin dhe Fevzi Prestreshin, të cilët janë arrestuar në kuadër të operacionit të zhvilluar mëngjesin e 10 shtatorit në Mitrovicë.
Por historia për të cilën dyshohen kishte nisur muaj më parë.
Gjatë natës mes 30 prillit dhe 1 majit, persona ende të paidentifikuar në atë kohë dyshohet se kishin hyrë në një objekt të “Trepçës” në rrugën “Shala e Bajgores”.
Caku nuk ishin para apo pajisje të zakonshme.
Nga dy transformatorë ishin marrë pjesët e brendshme të bakrit.
Kur vjedhja u zbulua mëngjesin e 1 majit, dëmi i raportuar ishte i konsiderueshëm: 60 mijë deri në 80 mijë euro.
Në vendin e ngjarjes kishin dalë hetuesit dhe Krimteknika, ndërsa rasti ishte hapur si “Vjedhje e rëndë”.
Për muaj me radhë, emrat e personave që mund të qëndronin prapa vjedhjes nuk ishin bërë të ditur.
Hetuesit rajonalë, megjithatë, kanë vazhduar hetimet dhe kanë arritur të sigurojnë dëshmi që, sipas Policisë, lidhen me personat e dyshuar.
Dëshmitë i janë prezantuar Prokurorit të rastit, ndërsa hetimi më pas ka kaluar në fazën tjetër.
Më 9 shtator, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka lëshuar urdhër për kontrollimin e të dyshuarve dhe vendbanimeve të tyre.
Në orën 06:00 të mëngjesit të 10 shtatorit, Policia ka nisur operacionin.
Në asistim të Njësisë për Reagim të Shpejtë dhe policëve të Stacionit Mitrovicë Jug, hetuesit kanë kontrolluar pesë lokacione.
Tre persona janë arrestuar, ndërsa gjatë kontrolleve janë sekuestruar edhe dëshmi për të cilat ekziston dyshimi se lidhen me kryerjen e veprës penale.
Pas intervistimit, Prokurori i rastit ka urdhëruar që tre të dyshuarit të dërgohen në ndalim për 48 orë.
Rasti vazhdon të hetohet.
Përtej arrestimeve, hetimi pritet të sqarojë rolin individual të secilit prej të dyshuarve dhe nëse dëshmitë e sekuestruara do t’i lidhin ata drejtpërdrejt me vjedhjen që i shkaktoi “Trepçës” një dëm të vlerësuar deri në 80 mijë euro.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.