Prokuroria Speciale e Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet suedeze, ka arritur të konfiskojë pasuritë e fituara përmes veprave penale të trafikimit të narkotikëve dhe shpëlarjes së parave.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka bërë të ditur se, si rezultat i veprimeve hetimore të Prokurorisë Speciale, është arrestuar personi me inicialet A.G., të cilit i janë konfiskuar pasuritë që dyshohet se janë përfituar nga aktivitetet kriminale.

Sipas njoftimit, rasti tashmë ka marrë epilog gjyqësor në Suedi dhe përbën rastin e parë kur ky shtet ka arritur të sekuestrojë pasuri jashtë juridiksionit të tij territorial.

Zyra për Rikthimin e Aseteve, e cila funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, së bashku me autoritetet suedeze, do të ndërmarrë hapat e mëtejmë për ekzekutimin përfundimtar të vendimit për pasuritë e konfiskuara në Kosovë.

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit e ka vlerësuar këtë rast si shembull të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në luftimin e kriminalitetit dhe konfiskimin e pasurive të përfituara nga veprat penale, pavarësisht se ku ndodhen ato.