Në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë janë betuar 515 rekrutë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Në ceremoninë e betimit kanë marrë pjesë kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe oficerë e nënoficerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së.
Kryeministri Kurti ka deklaruar se Qeveria synon të investojë mbi 1 miliard euro në ushtri gjatë këtij mandati, duke theksuar se zhvillimi i FSK-së mbetet një nga prioritetet e saj.
“Gjatë mandatit të kaluar, u trefishua buxheti i ushtrisë. Në këtë mandat, zotimi ynë është të investojmë mbi 1 miliard euro në ushtri. Kemi rekrutuar 3,220 ushtarë të rinj, duke zgjeruar radhët e forcës sonë dhe duke arritur më shumë se dyfishimin e saj në numër. Përveç kësaj, kemi edhe një gjeneratë tjetër që do të fillojë këtë vit trajnimin, dhe së bashku me ta, ne po i mbërrijmë kapacitetet ushtarake që ishin paraparë të arriheshin në vitin 2028. Pra, kemi përshpejtuar për dy vjet realizimin e objektivave tona strategjike”, është shprehur Kurti.
Ai ka bërë të ditur se deri në fund të këtij viti pritet të nisë edhe prodhimi i municionit në fabrikën që, sipas tij, po ndërtohet në Gjakovë.
“Gjithashtu kemi avancuar në industrinë e mbrojtjes; deri në fund të këtij viti do të fillojmë edhe prodhimin e municionit në fabrikën që po e ngrisim në Gjakovë, 100% vendore, dhe po e përkrahim sektorin privat që duan të prodhojnë produkte ushtarake”, ka deklaruar Kurti.