Bordi i Paqes ka reaguar pas marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Shqipërisë dhe Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF), duke theksuar se ajo parasheh mbështetje shtesë për operacionet e sigurisë dhe kapacitetet e planifikimit operacional të misionit në Gazë.

Në njoftimin e Bordit të Paqes thuhet se kontributi i Shqipërisë i shtohet atyre të Kosovës dhe Marokut, të cilat konsiderohen të rëndësishme për avancimin e qeverisjes, sigurisë, përpjekjeve humanitare, sundimit të ligjit dhe rindërtimit të Gazës.

Shqipëria ka nënshkruar dje marrëveshjen zyrtare me Bordin e Paqes për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gazë.

Ceremonia e nënshkrimit është zhvilluar në ambientet e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.