Një tentim për blerjen e një arme zjarri dyshohet se ka përfunduar me plagosje në Ferizaj. Një 20-vjeçar ka pësuar plagë në dorë dhe këmbë, pasi, sipas deklarimit të tij, është vetëplagosur aksidentalisht me një armë që synonte ta blinte nga disa persona. Por historia merr një kthesë tjetër: personat që ia kishin ofruar armën dyshohet se e kanë marrë atë dhe janë larguar, ndërsa vendi i saktë i incidentit ende nuk është identifikuar.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Erblin Rexhën rreth 20-vjeç, nga fshati Lloshkobare i Ferizajt, i cili është paraqitur për trajtim mjekësor mbrëmjen e 20 tetorit 2026.

Rreth orës 23:05, Policia ka pranuar informacionin se në Emergjencë po trajtohej një person me plagë të dyshuara nga arma e zjarrit.

Patrulla policore ka kontaktuar të lënduarin dhe personelin mjekësor, nga të cilët është konfirmuar se 20-vjeçari kishte lëndime në dy gishta të dorës së majtë dhe në këmbën e majtë, mbi gju.

Sipas vlerësimit fillestar të mjekëve, plagët dyshohet se janë shkaktuar nga arma e zjarrit.

Por mënyra se si ndodhi plagosja ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje.

Gjatë kontaktit me Policinë, Rexha ka deklaruar se kishte shkuar për të blerë një armë nga disa persona dhe se, gjatë atij takimi, ishte vetëplagosur.

Sipas versionit të tij, incidenti kishte ndodhur diku në fshatin Rakaj të Ferizajt, rreth orës 22:30, por ai nuk ka arritur ta përcaktojë vendndodhjen e saktë.

I riu ka deklaruar gjithashtu se arma me të cilën ishte plagosur ishte marrë nga personat prej të cilëve kishte synuar ta blinte.

Kjo ka bërë që Policia të nisë hetimet jo vetëm për rrethanat e plagosjes, por edhe për sqarimin e prejardhjes dhe vendndodhjes së armës.

Në kuadër të veprimeve hetimore janë intervistuar i dyshuari dhe dy dëshmitarë, F. R. rreth 58-vjeç dhe A. R. rreth 30-vjeç.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ndaj Erblin Rexhës është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Me urdhër të Prokurorisë është kryer edhe kontrolli i shtëpisë së tij, por nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Rasti është iniciuar si “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, gjetjen e armës dhe sqarimin e plotë të rrethanave të plagosjes.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.