Sinjali mëson se e mitura, e cila është në gjendje të rëndë shëndetësore pasi ka rënë nga terasa e një banese në katin e gjashtë në Pejë, është vetëm 15-vjeçare.

Rasti ka ndodhur rreth orës 01:00 në rrugën “Myrvete Maksutaj” në Pejë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Policia dhe Emergjenca janë alarmuar pasi qytetarët kanë vërejtur të miturën të lënduar rëndë pranë një objekti banesor.

Një dëshmitar që ndodhej duke punuar në një lokal aty pranë ka deklaruar se kishte dëgjuar një zhurmë dhe, së bashku me qytetarë të tjerë, kishte dalë për të parë se çfarë kishte ndodhur.

Aty kishin gjetur vajzën të lënduar rëndë dhe kishin kërkuar menjëherë ndihmë.

Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet emergjente dhe njësitë policore, ndërsa e mitura është dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal të Pejës.

Mjekët kanë konstatuar se ajo ishte me shenja jete, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, është marrë vendim që të transferohej për trajtim të mëtejshëm në QKUK në Prishtinë.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe njësitë e kriminalistikës, ndërsa është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit.

Rrethanat e plota që çuan deri te kjo ngjarje janë ende objekt i hetimeve.

Për shkak se bëhet fjalë për një të mitur, Sinjali nuk do të publikojë të dhëna që mund të çojnë në identifikimin e saj.

Sot, përtej hetimit dhe rrethanave që ende duhet të sqarohen, mbetet vetëm një lajm që ka rëndësi, një vajzë 15-vjeçare po lufton për jetën.