Policia e Kosovës ka raportuar shtatë raste të dhunës në familje dhe mosrespektimit të urdhrave mbrojtës, të cilat janë evidentuar gjatë datave 31 tetor dhe 1 nëntor në disa komuna të vendit.
Sipas raportit policor, disa nga rastet kanë të bëjnë me mosrespektimin e urdhrave mbrojtës të lëshuar nga gjykata, ndërsa disa të tjera me dhunë në familje, përfshirë sulme fizike, kanosje dhe dhunë psikike.
Rastet janë raportuar në Fushë Kosovë, Prishtinë, Lipjan, Viti, Klinë dhe Pejë. Në disa prej tyre, viktimat kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë pranuar tretman mjekësor.
Në Fushë Kosovë, një i dyshuar dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj një gruaje, pavarësisht urdhrit mbrojtës të gjykatës. Ndërsa në Prishtinë, një person është arrestuar pasi dyshohet se i është afruar adresës së banimit të viktimës, në kundërshtim me urdhrin mbrojtës.
Raste të sulmeve fizike ndaj grave janë raportuar edhe në Lipjan, Klinë dhe Pejë. Në këto raste, të dyshuarit janë arrestuar ose janë liruar pas veprimeve të ndërmarra nga organet kompetente, varësisht nga rrethanat.
Po ashtu, në Prishtinë është raportuar një rast i kanosjes verbale ndaj një gruaje, ndërsa i dyshuari ndodhet në kërkim policor. Në Viti, një person dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj një gruaje dhe një burri, kurse në Klinë është raportuar edhe një rast i kanosjes dhe dhunës në familje, ku viktimë është një burrë.
Sipas Policisë, disa nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, ndërsa rastet e tjera po trajtohen në procedurë të rregullt hetimore.