Një rast i dhunës në familje është raportuar pasditen e 26 shtatorit në fshatin Gurrakoc të Istogut, ku një burrë dyshohet se ka tentuar ta sulmojë bashkëshorten dhe ka rrëzuar nënën e tij në tokë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktimat janë A.S., 69-vjeçare dhe M.B., 30-vjeçare, ndërsa i dyshuari është L.K.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari ishte kthyer në shtëpi në gjendje të dehur, pasi bashkëshortja e tij e kishte marrë nga një kafiteri ku ai kishte konsumuar alkool.
Pas kthimit në shtëpi, ai dyshohet se ka tentuar ta godasë bashkëshorten fillimisht me shuplakë e më pas edhe me një shkop druri.
Ndërkohë, nënën e tij dyshohet se e ka shtyrë, duke e rrëzuar në tokë.
Në atë moment ka ndërhyrë një dëshmitar, i cili e ka larguar të dyshuarin për të parandaluar sulmin e mëtejshëm ndaj dy grave.
Pas incidentit, L.K. është larguar nga shtëpia në drejtim të panjohur dhe deri më tani nuk është gjetur.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa kërkimet për të dyshuarin po vazhdojnë.
Pasi të sigurohet prania dhe të intervistohet, Prokuroria pritet të njoftohet sërish për veprimet e mëtejshme.