Një incident mes një çifti bashkëshortor në parkingun e LC Waikiki, në rrugën “Elez Berisha” në Prishtinë, ka përfunduar me intervenimin e Policisë dhe inicimin e një rasti për “Dhunë në familje”, raporton Sinjali.
Sinjali mëson se rasti është raportuar më 29 gusht, rreth orës 15:00, pasi Policia kishte marrë informacion se një burrë po e rrihte një grua në parking.
Njësia policore ka dalë në lokacion, ku ka takuar gruan dhe bashkëshortin e saj. Viktimës i është ofruar trajtim mjekësor në vend, ndërsa më pas të dy janë shoqëruar në stacion policor.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për E.E., 27-vjeçare, dhe bashkëshortin e saj G.E., 31-vjeçar.
Në deklaratën e dhënë para hetuesve, 27-vjeçarja ka thënë se bashkëshorti kishte ardhur rreth orës 15:10 për ta marrë nga puna dhe se në parking mes tyre kishte nisur një mosmarrëveshje.
Sipas saj, gjatë konfliktit bashkëshorti e kishte goditur me shuplakë, ndërsa ajo e ka përshkruar ngjarjen si një mosmarrëveshje të çastit.
31-vjeçari ka dhënë një version tjetër.
Ai ka pranuar se mes tyre kishte pasur debat dhe se e kishte kapur bashkëshorten për dore pasi ajo ishte larguar, por ka mohuar se konflikti kishte qenë fizik.
Megjithatë, në Polici është intervistuar edhe një dëshmitare, deklarata e së cilës përputhet me pretendimin se kishte pasur dhunë fizike.
Sipas saj, rreth orës 15:15 kishte parë momentin kur i dyshuari e kishte tërhequr gruan për flokësh dhe më pas e kishte goditur me shuplakë në fytyrë.
Për rastin është konsultuar Prokurori kujdestar për dhunë në familje, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti “Dhuna në familje”.