Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se sot, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, është mbajtur ceremonia solemne e diplomimit të Gjeneratës së 46-të, ku kanë diplomuar 100 oficerë të rinj korrektues.
Sipas njoftimit, ceremonia ka shënuar përfundimin me sukses të trajnimit profesional të kadetëve, të cilët tashmë do t’i bashkohen Shërbimit Korrektues të Kosovës.
Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, i ka uruar kadetët për përfundimin e trajnimit, duke theksuar rëndësinë dhe përgjegjësinë që mbart profesioni i oficerit korrektues.
“Ligji është udhërrëfyesi juaj. Profesionalizmi është forca juaj. Integriteti është mburoja juaj”, ka thënë Dibrani.
Në ceremoni ka marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka bërë të ditur se gjatë tri viteve të fundit janë rekrutuar rreth 400 zyrtarë korrektues.
“Sot 100 të rinj e të reja po përmbyllin me sukses përgatitjen e tyre profesionale dhe po ecin me detyrën e re në shërbim të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Shërbimi Korrektues ka bërë të ditur se diplomimi i 100 oficerëve të rinj përbën një hap tjetër në forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe profesionale të sistemit korrektues në Kosovë.