Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar një rast të kontrabandimit me mallra në magjistralen Preshevë–Gjilan.
Rasti është evidentuar më 11 shtator, rreth orës 22:00, kur Njësia e Task-Forcës Jug ndaloi një furgon që dyshohet se kishte hyrë ilegalisht nga Serbia në territorin e Kosovës.
Gjatë kontrollit, në automjet u gjetën disa pako me speca të freskët, për të cilat drejtuesi, shtetas i Serbisë dhe Kosovës, nuk posedonte dokumentacion për prejardhjen e mallit.
Furgoni dhe malli janë sekuestruar nga Dogana e Kosovës dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedurat e mëtejshme ligjore.
Vlera e mallit në treg është rreth 2 mijë euro, pa përfshirë detyrimet doganore.