Një ngjarje e rëndë familjare ka tronditur një familje në Drenas, ku një 30-vjeçar dyshohet se ka sulmuar babanë me kaçavidë dhe ka kërcënuar nënën me thikë, pasi u kishte kërkuar para. Situata është përshkallëzuar edhe më shumë kur Policia ka ndërhyrë, ndërsa i dyshuari është mbyllur brenda shtëpisë dhe ka kërcënuar edhe zyrtarët policorë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 17 tetor, rreth orës 17:20, në rrugën “Xhevat Demaku” në Drenas.

Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, S.R. 76 vjeçar është paraqitur në stacion policor dhe ka denoncuar djalin e tij, L.R. 30 vjeçar, duke deklaruar se ai e kishte goditur me kaçavidë në dorë dhe po kërcënonte bashkëshorten e tij, H.R. (1965).

Konflikti, sipas informatave fillestare, kishte nisur pasi djali u kishte kërkuar para prindërve, duke i kërcënuar me thikë dhe kaçavidë.

Menjëherë pas denoncimit, njësitë policore kanë shkuar në shtëpinë e familjes, por i dyshuari ka refuzuar ta hapte derën.

Përmes xhamit të derës, policët kanë vërejtur se ai mbante një thikë në dorë, ndërsa dyshohet se u është drejtuar me fjalët:

“Nëse e theni derën, këtu do të derdhet gjaku.”

Për shkak të situatës së krijuar, në vendin e ngjarjes janë angazhuar edhe hetuesit policorë.

Pas ndërhyrjes dhe komunikimit me të dyshuarin, ai është bindur ta hapë derën dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Edhe prindërit janë intervistuar lidhur me rastin.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”, në kuadër të dhunës në familje.

Me vendim të prokurores kujdestare, L.R. është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.