Një rast i dhunës në familje është raportuar në Prishtinë, ku një mosmarrëveshje mes bashkëshortëve dyshohet se ka eskaluar në dhunë fizike, ndërsa në konflikt është përfshirë edhe djali i tyre i mitur, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është A. R. rreth 54-vjeqar, ndërsa viktima është bashkëshortja e tij, Sh. R. rreth 43-vjeqare.

Ngjarja ka ndodhur më 25 gusht, në rrugën “Agron Rrahmani” në Prishtinë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, pas një mosmarrëveshjeje mes çiftit, situata dyshohet se ka dalë nga kontrolli.

Sh. R. ka deklaruar para hetuesve se bashkëshorti fillimisht e kishte fyer me fjalë ofenduese, e më pas dyshohet se e kishte kapur për fyti dhe i kishte kërkuar të dilte nga shtëpia.

Në ato momente ka ndërhyrë djali i tyre i mitur, E.R., rreth 17-vjeçar.

Sipas versionit të dhënë nga viktima, i dyshuari më pas ka filluar ta godasë djalin me grushte, duke e rrëzuar në tokë, për t’u kërkuar më pas që të largoheshin nga banesa.

Por para Policisë, A. R. ka dhënë një version tjetër të ngjarjes.

Ai ka deklaruar se pas mosmarrëveshjes me bashkëshorten, ishte djali ai që kishte filluar ta godiste në fytyrë dhe se veprimet e tij ndaj të miturit kishin qenë, sipas pretendimit të tij, në vetëmbrojtje.

Palët janë intervistuar nga hetuesit e dhunës në familje, ndërsa për rastin është konsultuar Prokurori kujdestar.

Me udhëzim të Prokurorit është iniciuar rasti penal “Dhuna në familje”, ndërsa R. është liruar në procedurë të rregullt.

Hetimet pritet të sqarojnë dinamikën e plotë të ngjarjes dhe pretendimet kundërthënëse të palëve.