Një situatë dramatike dhe me rrezik të lartë është zhvilluar pasditen e 21 gushtit në Mitrovicë, ku një 17-vjeçar në gjendje krize ka mobilizuar Policinë, zjarrfikësit dhe ekipet e emergjencës, pasi ndodhej në katin e shtatë të një ndërtese dhe ekzistonte shqetësim serioz për sigurinë e tij.

Situata është bërë edhe më e rrezikshme kur i mituri dyshohet se ka nisur të hedhë nga lartësia sende të ndryshme drejt hapësirës së jashtme, duke rrezikuar kalimtarët dhe automjetet që ndodheshin poshtë.

Sinjali mëson se rasti ka ndodhur dje rreth orës 17:00, në një ndërtesë afër rrugës “Shemsi Ahmeti” në Mitrovicë.

Alarmi është ngritur nga qytetarët, të cilët kanë njoftuar Policinë për situatën e krijuar në ballkonin e një banese në katin e shtatë.

Për shkak se bëhet fjalë për një të mitur dhe një rast jashtëzakonisht të ndjeshëm, Sinjali nuk do të publikojë identitetin e tij dhe as hollësi personale që mund ta ekspozojnë atë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, njësitë policore kanë mbërritur në vendngjarje dhe për disa kohë janë përpjekur ta menaxhojnë situatën dhe ta shmangin përshkallëzimin e saj.

Ndërkohë, 17-vjeçari dyshohet se ka hedhur nga lart vazo lulesh, bidonë me ujë dhe karrige, të cilat kanë përfunduar në hapësirën poshtë ndërtesës.

Kjo ka krijuar rrezik jo vetëm për vetë të miturin, por edhe për qytetarët dhe automjetet që mund të kalonin në atë pjesë të rrugës.

Në një moment, për shkak të situatës së krijuar dhe nevojës për të ndërhyrë pa humbur kohë, zyrtarët policorë janë detyruar ta hapin me forcë derën e banesës.

Ndërhyrja ka rezultuar e suksesshme.

Policia ka arritur ta sigurojë 17-vjeçarin dhe ta vendosë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje kishin dalë edhe ekipet e zjarrfikësve dhe të emergjencës.

Pas intervenimit është konsultuar Prokurori kujdestar, me rekomandimin e të cilit rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

I mituri më pas është dërguar në QKUK për trajtim të specializuar psikiatrik.

Rasti tashmë po trajtohet nga organet kompetente, ndërsa ajo që nisi si një situatë me potencial për pasoja shumë të rënda përfundoi me ndërhyrjen e Policisë dhe sigurimin e 17-vjeçarit pa pasoja fatale të raportuara.