Policia ka arritur të identifikojë dy të mitur që dyshohet se qëndrojnë prapa një vjedhjeje të rëndë në Kishën “Car Konstantin dhe Carica Jelena”, në fshatin Busincë të Novobërdës, merr vesh Sinjali.

Rasti ishte zbuluar më 28 gusht, rreth orës 09:00, kur personi përgjegjës për kishën kishte njoftuar Policinë se dera e objektit fetar ishte thyer.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se, pas daljes së Policisë dhe Forenzikës në vendngjarje, ishte konstatuar se ishte thyer edhe arka metalike brenda kishës, në të cilën ruheshin kontributet vullnetare të qytetarëve të destinuara për renovimin e saj.

Shuma e saktë fillimisht nuk ishte e ditur, por sipas informatave të siguruara gjatë hetimit, në arkë dyshohet se ndodheshin rreth 1 mijë deri në 1 mijë e 100 euro.

Për rastin ishte njoftuar Prokurori i Shtetit dhe hetimet kishin nisur për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.

Pas disa ditësh hetime, rasti është zbardhur.

Sipas burimeve të Sinjalit, hetuesit e Stacionit Policor në Novobërdë, përmes veprimeve hetimore dhe informacioneve të mbledhura, kanë arritur më 4 shtator të identifikojnë dy persona që dyshohet se e kanë kryer vjedhjen.

Bëhet fjalë për dy të mitur të lindur në vitin 2012, pra rreth 12–14 vjeç, varësisht nga datëlindjet e tyre.

Hetimet kanë nxjerrë po ashtu se paratë e marra nga arka e kishës tashmë dyshohet se ishin shpenzuar.

Për zhvillimet e reja është konsultuar Prokurori kujdestar për të Mitur, me udhëzim të të cilit rasti do të procedohet në procedurë të rregullt me kallëzim penal.