Një rast i dyshuar i fajdesë është denoncuar në Prishtinë, ku një 60-vjeçar pretendon se një hua prej 18 mijë e 50 eurosh përfundoi në një përplasje financiare që përfshiu mijëra euro kamatë dhe veturën e tij Audi Q7, raporton Sinjali.

Rasti është denoncuar më 28 gusht, rreth orës 17:20, në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, ankuesi ka deklaruar se nga personi që tashmë po hetohet si i dyshuar kishte marrë hua 18,050 euro, me afat kthimi prej një muaji.

Por, sipas pretendimeve të tij, marrëveshja nuk përfundonte me kthimin e shumës së marrë.

Ai pretendon se i dyshuari i kishte kërkuar edhe 3,000 euro kamatë, duke e çuar shumën që duhej kthyer në 21,050 euro.

Audi Q7 si siguri për borxhin

Për sigurimin e kthimit të parave, ankuesi kishte bërë një autorizim të noterizuar për Audi Q7, përmes të cilit të dyshuarit i ishte dhënë e drejta që veturën ta përdorte apo edhe ta shiste.

Sipas deklarimit të 60-vjeçarit, kur kishte tentuar ta shlyente detyrimin, i dyshuari nuk i ishte përgjigjur në telefon.

Ankuesi më pas kishte vendosur ta revokonte autorizimin që kishte dhënë për veturën.

Por disa ditë më vonë, sipas versionit të tij të ngjarjes, kishte kuptuar se Audi Q7 ishte çlajmëruar.

Kur kishte kërkuar t’i kthehej vetura, situata dyshohet se kishte marrë një tjetër kthesë.

Ankuesi pretendon se nga ai ishin kërkuar edhe 10 mijë euro shtesë, ndërsa sipas raportimit të tij shuma e kërkuar për t’ia kthyer veturën kishte arritur në 30 mijë euro.

Pas denoncimit, për rastin është njoftuar Prokurori kompetent dhe, sipas udhëzimeve të tij, Policia ka iniciuar rastin për veprën penale “Fajdeja”.

Rasti mbetet nën hetime dhe pretendimet e ankuesit pritet të verifikohen gjatë procedurës hetimore.