Një rast kanosjeje në Prishtinë ka marrë një kthesë të pazakontë, pasi një 38-vjeçare fillimisht dyshohet se e ka pranuar dërgimin e një mesazhi kërcënues dhe madje ka deklaruar se nuk ndihej e penduar, por gjatë intervistimit zyrtar ka mohuar se mesazhin e kishte dërguar ajo.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 14 shtator, në rrugën “Aziz Zhilivoda” në Prishtinë.
Rreth orës 16:50, në Stacionin Policor Veriu është paraqitur Andrea Rexhepi, 21-vjeçare, e cila ka raportuar se ishte kanosur përmes telefonit me mesazhe kërcënuese.
Si e dyshuar në këtë rast është identifikuar Mihrie Bala, 38-vjeçare.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Bala është paraqitur po ashtu në stacion dhe fillimisht ka pranuar se mesazhin e kishte dërguar ajo, duke deklaruar se nuk ndihej e penduar për veprimin.
Por më pas versioni ka ndryshuar.
Gjatë intervistimit në praninë e avokatit mbrojtës, 38-vjeçarja ka deklaruar se mesazhin nuk e kishte dërguar ajo.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar i Shtetit, i cili ka udhëzuar që çështja të iniciohet për veprën penale “Kanosje”.
Me vendim të Prokurorit, e dyshuara është ndaluar për 48 orë.
Hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe verifikimin e komunikimeve po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.