Një 25-vjeçar nga Drenasi, ndaj të cilit ishte lëshuar urdhërarrest nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Dega në Drenas, është ndaluar në pikën kufitare të Hanit të Elezit. Kontrolli në kufi ka zbuluar se ai kërkohej nga autoritetet gjyqësore për ekzekutimin e një dënimi me burgim, ndërsa pas ndalimit është dërguar në institucionin korrektues për të vuajtur 80 ditë burg.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se personi i ndaluar është Bleorand Shala, 25 vjeçar, nga fshati Fushticë e Poshtme i Drenasit.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, më 5 nëntor 2026, rreth orës 23:30, Policia është njoftuar se Shala ishte ndaluar në pikën e kalimit kufitar në Han të Elezit.

Gjatë verifikimit ishte konstatuar se ndaj tij ekzistonte një urdhërarrest i lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Drenas, për ekzekutimin e dënimit me burgim.

Pas ndalimit, 25-vjeçari është marrë në përcjellje nga njësia policore dhe është dërguar në institucionin korrektues në Dubravë, për të vuajtur dënimin prej 80 ditësh burgim.

Nga informacionet e siguruara deri më tani nuk është bërë e ditur vepra penale për të cilën është dënuar Shala, as koha kur është shqiptuar dënimi.

Shënim: Personat e përmendur në këtë lajm konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.