Një rast i rëndë është regjistruar mbrëmjen e së dielës në Dragodan të Prishtinës, ku një 15-vjeçar dyshohet se është joshur të dalë në park dhe më pas është përballur me tre persona, njëri prej të cilëve mbante shkop, ndërsa tjetri thikë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 13 shtator, rreth orës 19:00, në rrugën “Hys Popova”.
Sipas të dhënave të rastit, rreth orës 20:20, i mituri E.M., 15 vjeç, është paraqitur në Stacionin Policor Veriu së bashku me prindin e tij dhe ka raportuar se ishte sulmuar.
Ai ka deklaruar se një person më herët kishte rrahur vëllain e tij dhe se më pas ishte telefonuar e i ishte kërkuar që të dilte në parkun e Dragodanit, në rrugën “Hys Popova”.
Kur ka mbërritur në vendin e caktuar, sipas deklarimit të tij, aty ndodheshin tre persona.
Njëri prej tyre dyshohet se mbante një shkop, ndërsa një tjetër një mjet të mprehtë, përkatësisht thikë.
Situata më pas ka eskaluar dhe 15-vjeçari dyshohet se është sulmuar me thikë, duke pësuar lëndime trupore.
Pas incidentit, i mituri ka marrë trajtim mjekësor, ndërsa më pas është paraqitur në Polici së bashku me prindin e tij për ta raportuar rastin.
Personat e dyshuar nuk janë siguruar nga Policia, pasi sipas viktimës ai nuk i njeh dhe nuk ka mundur t’i identifikojë.
Për rastin është kontaktuar Prokurori kujdestar për të mitur, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Lëndim i rëndë trupor”.
Hetimet për identifikimin e tre personave të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të sulmit po vazhdojnë.