Një 30-vjeçar është proceduar penalisht nën dyshimin për kanosje ndaj një zyrtari policor, pas një incidenti të ndodhur gjatë ndërhyrjes së Policisë në vendin e një aksidenti në autostradën “Arbër Xhaferi”.

Sinjali mëson se i dyshuari është Lorik Reçica rreth 30 vjeç.

Sipas burimeve, ngjarja kishte ndodhur më 27 korrik 2026, rreth orës 16:00, në kyçjen e autostradës “Arbër Xhaferi”, në fshatin Babush i Muhaxherëve, ku zyrtarët policorë po kryenin detyrat zyrtare në vendin e një aksidenti trafiku.

Rasti është trajtuar fillimisht si shënim zyrtar, ndërsa më 3 gusht 2026, me udhëzim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar zyrtarisht si vepër penale “Kanosja”.

Sipas kallëzimit të zyrtarit policor, Lorik Reçica e kishte penguar gjatë kryerjes së detyrës dhe e kishte kanosur me fjalët:

“Me shtet nuk mundem me u shty dhe ti edhe po të hypesh në qiell nuk të lëshoj.”

Me urdhër të Prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar procedurë penale për veprën “Kanosja”, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.