Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) ka shtuar praninë e patrullave policore pranë pikave kryesore të kalimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në ditën kur në Serbi po mbahen zgjedhjet.

Sipas njoftimit të EULEX-it, patrullat e Njësisë Policore të Specializuar janë shtuar që nga orët e hershme të së dielës, me qëllim të monitorimit të situatës së sigurisë në terren.

Ky aktivitet po zhvillohet në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin e KFOR-it, të udhëhequr nga NATO-ja, në kuadër të mekanizmit tre-nivelësh të reagimit të sigurisë.

Përmes kësaj pranie të shtuar, synohet përcjellja e vazhdueshme e situatës dhe koordinimi ndërmjet mekanizmave përkatës të sigurisë gjatë procesit zgjedhor në Serbi.