Një fotografi e publikuar në rrjete sociale i ka hapur telashe një 19-vjeçari nga Istogu, pasi në brez i shihej një pistoletë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur më 14 shtator, rreth orës 16:00.
Pas publikimit të fotografisë, Policia ka arritur ta identifikojë të dyshuarin, Leonit Imeraj, dhe ka nisur kërkimin për ta lokalizuar.
Njësitet policore kanë shkuar në shtëpinë e tij, por i riu nuk është gjetur aty. Policia ka kontaktuar axhën e tij, i cili ka deklaruar se ishte në dijeni për fotografinë dhe ekspozimin e armës, duke bërë me dije se sapo nipi të kthehej, do të paraqitej në stacion.
Vetëm pak më vonë, rreth orës 16:15, 19-vjeçari është paraqitur vetë në Polici.
Me vete ka dorëzuar edhe armën që dyshohet se shihej në fotografinë e publikuar, një pistoletë me gaz të tipit ZORAKI M 906-B, së bashku me një karikator pa municion.
Arma është sekuestruar, ndërsa i riu është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit është iniciuar procedura për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.
Pas përfundimit të procedurave, 19-vjeçari është liruar në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.