Efektivë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë zhvilluar qitje me mortaja të kalibrave 60, 81 dhe 120 milimetra në poligonin e qitjes me armë të rënda të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut (RKV).

Sipas njoftimit të FSK-së, aktiviteti është zhvilluar në kuadër të stërvitjeve për ngritjen e nivelit të përgatitjes dhe aftësive profesionale të trupave.

Në këtë aktivitet ka marrë pjesë edhe atasheu ushtarak i Kosovës në Shqipëri, nënkolonel Fatbardha Osaj, e cila është njohur nga afër me përgatitjen dhe performancën e pjesëtarëve të FSK-së.

FSK-ja ka bërë të ditur se stërvitja ka dëshmuar disiplinë, përgatitje të lartë profesionale dhe respektim të standardeve gjatë ekzekutimit të qitjeve.