Dy shoferë janë ndaluar nga Policia e Kosovës pasi dyshohet se po zhvillonin gara ilegale shpejtësie në rrugën “Ukshin Hoti” në Prizren.
Rasti është evidentuar më 6 shtator, rreth orës 03:47, gjatë patrullimit të Njësive Rajonale të Trafikut Rrugor në këtë qytet.
Policia ka ndaluar të dy automjetet që po merrnin pjesë në garë, ndërsa ndaj ngasësve janë shqiptuar masat përkatëse ligjore.
Secili prej tyre është gjobitur me nga 400 euro, ndërsa u janë shqiptuar edhe katër pikë negative dhe 10 muaj ndalim i drejtimit të automjetit.
Kontrollet e tilla janë pjesë e angazhimeve të Policisë për parandalimin e garave ilegale dhe sjelljeve të rrezikshme në komunikacion, të cilat mund të përfundojnë me pasoja të rënda për pjesëmarrësit në trafik.