75-vjeçari Hafiz Mehmeti, i cili ishte raportuar i zhdukur më 6 tetor, është gjetur pa shenja jete te penda e fshatit Livoq në Gjilan.

Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Gjilan, Valon Osmani, i cili tha se policia ka pranuar informacion se një person mashkull, i lindur në vitin 1951, është gjetur pa shenja jete.

Sipas Osmanit, njësitet relevante policore, së bashku me zjarrfikësit dhe ekipin emergjent mjekësor, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është nxjerrë trupi i pajetë. Vdekja është konstatuar nga mjeku kujdestar.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion.

“Hetues nga Njësiti i Hetimeve Rajonale në Gjilan, në koordinim dhe bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit, rast i cili është cilësuar ‘Hetim i vdekjes’”, tha Osmani për Sinjalin.