Një transformator i dëmtuar, kabllo të rrymës të vjedhura dhe një dëm që llogaritet deri në 40 mijë euro. Rreth shtatë muaj pas goditjes ndaj aseteve të “Trepçës”, hetimet kanë çuar Policinë në pesë lokacione në Mitrovicë dhe te katër persona që tashmë ndodhen nën dyshime.
Sinjali mëson se operacioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, pas sigurimit të urdhërkontrollit nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.
Rasti që çoi te ky operacion kishte ndodhur më 10 shkurt 2026, në asetet e Ndërmarrjes “Trepça” në rrugën “Shala e Bajgores”.
Atë mëngjes ishte raportuar dëmtimi i një transformatori të energjisë elektrike dhe vjedhja e disa kabllove. Sipas vlerësimit të elektricistit të ndërmarrjes, dëmi i shkaktuar arrinte në 30 deri në 40 mijë euro.
Rasti ishte hapur si “Vjedhje e rëndë”, por të dyshuarit nuk ishin identifikuar menjëherë.
Hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime kanë vazhduar punën për muaj me radhë dhe, sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, kanë arritur të mbledhin dëshmi që i kanë orientuar hetimet drejt disa personave.
Dëshmitë i janë prezantuar Prokurorit të rastit, ndërsa më pas është kërkuar leje nga Gjykata për kontrollimin e të dyshuarve dhe vendbanimeve të tyre.
Urdhri është lëshuar më 9 shtator.
Policia zbarkoi në pesë lokacione në orën 06:00
Operacioni ka nisur sot, më 10 shtator, në orën 06:00.
Hetuesit rajonalë, me asistimin e Njësisë për Reagim të Shpejtë dhe njësive të Stacionit Policor Mitrovicë Jug, kanë kontrolluar pesë vendbanime në Mitrovicë.
Operacioni ka rezultuar me arrestimin e tre personave, shoqërimin fillestar të një personi në cilësinë e dëshmitarit dhe sekuestrimin e dëshmive që Policia dyshon se lidhen me kryerjen e veprës penale.
Sinjali mëson se personat e identifikuar në kuadër të këtij rasti janë Bajram Selmani, Arsim Selmani, Fevzi Prestreshi dhe Fatmir Selmani.
Por gjatë procedurës ka ndodhur edhe një zhvillim tjetër.
Personi i katërt fillimisht ishte trajtuar si dëshmitar. Pas analizimit të deklaratave dhe të dhënave të siguruara gjatë hetimit, Prokurori i rastit ka kërkuar ndryshimin e statusit të tij nga dëshmitar në të dyshuar.
Ai është intervistuar në këtë cilësi dhe, me udhëzim të Prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.
Ndërkohë, tre të arrestuarve të tjerë, pas intervistimit, u është caktuar ndalimi prej 48 orësh.
Hetimet për rastin e vjedhjes së rëndë në “Trepça” po vazhdojnë, ndërsa dëshmitë e sekuestruara gjatë kontrolleve pritet t’i nënshtrohen ekzaminimit të mëtejshëm.