Një rast i dhunës në familje dhe kanosjes në Vushtrri ka çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e dy armëve të gjata në një shtëpi në fshatin Novolan, pasi viktima kishte paralajmëruar Policinë për praninë e armëve në pronën familjare, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë trajtimit të rastit për dhunë në familje dhe kanosje, gruaja kishte deklaruar para hetuesve se bashkëshorti i saj posedonte armë të gjata.

Ky informacion ka bërë që Policia të zgjerojë veprimet hetimore, ndërsa gjatë intervistimit bashkëshorti ka pretenduar se armët nuk ishin të tijat, por i përkisnin babait të tij.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Sh. Zh. rreth 73-vjeç, i cili është shoqëruar në Stacionin Policor në Vushtrri për t’u intervistuar lidhur me armët.

Pas marrjes së informacioneve, njësia e hetimeve ka kryer kontroll në shtëpinë e tij në fshatin Novolan.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të gjata, njëra e tipit M98 dhe tjetra po ashtu armë e gjatë, modeli i së cilës nuk është specifikuar në raportin fillestar.

Armët janë sekuestruar në kuadër të procedurës për dyshimet lidhur me posedimin e paautorizuar të tyre.

Pas përfundimit të veprimeve policore, është njoftuar Prokuroria e Shtetit, e cila ka udhëzuar që rasti të vazhdojë të hetohet.

Sh. Zh. është liruar në procedurë të rregullt.

Rasti është iniciuar për veprën penale “Mbajtja në pronësi ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar rrethanat e posedimit të armëve dhe përgjegjësinë eventuale penale.

Ndërkohë, informacionet fillestare nuk sqarojnë nëse armët e sekuestruara ishin përdorur apo përmendur gjatë kanosjes së raportuar nga viktima.

Shënim: Personi i dyshuar konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.