Një 33-vjeçar është kapur në flagrancë nga Policia, derisa dyshohet se kishte hyrë në një shtëpi në Prishtinë dhe tashmë kishte përvetësuar gjësende me vlerë, mëson Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është A. M. rreth 33-vjeç, i cili pas arrestimit është ndaluar për 48 orë.

Rasti ka ndodhur të hënën, më 17 gusht, rreth orës 14:50, në rrugën “Fatbardha Gega” në Prishtinë.

Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, dy zyrtarë policorë të Njësisë së Urdhëresave të Stacionit Policor Qendra, gjatë patrullimit të rregullt, kanë vërejtur se dyert dhe dritaret e një shtëpie ishin të hapura, ndërsa brenda saj ndodhej një person i panjohur.

Policia kishte informacione paraprake se në atë shtëpi aktualisht nuk banonte askush, pasi banorët ndodheshin jashtë shtetit.

Dy policët janë afruar me kujdes të shtuar dhe kanë thirrur me zë: “Policia, dilni jashtë!”

Në atë moment kanë vërejtur një person në katin e tretë të shtëpisë, i cili, sapo i ka parë zyrtarët policorë, dyshohet se është tërhequr brenda dhe më pas ka tentuar të largohet përmes rrethojave dhe ballkoneve.

Por tentativa për t’u larguar ka dështuar.

Zyrtarët policorë janë ngjitur deri në katin e tretë, duke kaluar përmes rrethojave dhe ballkoneve, dhe kanë arritur ta kapin të dyshuarin në flagrancë.

Sipas të dhënave të rastit, në momentin kur është kapur, M. dyshohet se tashmë kishte përvetësuar gjësende me vlerë nga shtëpia.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka urdhëruar që 33-vjeçari të intervistohet në praninë e avokatit mbrojtës.

Pas përfundimit të procedurave policore, ndaj A. M/ është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.