Një hetim për kanosje në Prizren ka marrë krejt tjetër drejtim pasi në banesën e një 33-vjeçari janë gjetur sasi të ndryshme të substancave të dyshuara narkotike, qindra pako me barna dhe një shumë e madhe parash të gatshme.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është zbuluar mbrëmjen e 17 shtatorit, rreth orës 23:00, në rrugën “Adnan Krasniqi” në Prizren.
Gjatë trajtimit të një rasti për “Kanosje”, në banesën e të dyshuarit Bilbil Korenica janë hasur substanca të dyshuara narkotike, çka ka aktivizuar edhe hetuesit e antidrogës.
Pas njoftimit të Prokurorit të Shtetit dhe sigurimit të urdhrit për kontroll, banesa është bastisur.
Aty hetuesit kanë hasur në një sasi të konsiderueshme të materialeve që tashmë janë sekuestruar si prova.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, janë gjetur 26.43 gramë substancë e dyshuar si kokainë, si dhe një tjetër sasi prej 2.44 gramësh, e fshehur brenda një pakete me mbishkrimin “Bensedin 10 mg”, ku ndodhej edhe një pako cigaresh Marlboro.
Po ashtu janë sekuestruar disa sasi të substancës së dyshuar si marihuanë, përfshirë 95.63 gramë, 11.12 gramë, si dhe dhjetëra cigare të mbështjella me marihuanë, të vendosura në kavanoza qelqi.
Në banesë janë gjetur edhe një grinder me mbetje marihuane dhe dy pako rizlla “OCB Slim”.
Por ajo që e bën rastin edhe më të pazakontë është sasia e madhe e barnave të gjetura.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se janë sekuestruar 210 pako Diazepam 5 mg, 59 pako Bensedin 5 mg, 11 pako Diazepam HF 5 mg dhe 106 pako Bensedin 10 mg, shumica me nga 30 tableta brenda.
Në mesin e provave materiale janë sekuestruar edhe një telefon Samsung, një fletore xhepi dhe 19 mijë e 625 euro para të gatshme.
Hetimet për këtë rast po zhvillohen nga njësia për hetimin e trafikimit me narkotikë në Prizren.
Ndërkohë, ndaj Korenicës është caktuar ndalim policor në lidhje me rastin e veçantë për “Kanosje”, ndërsa hetimet pritet të sqarojnë prejardhjen, destinacionin dhe qëllimin e substancave, barnave dhe parave të sekuestruara.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.