Menderes Kadri, i cili tashmë është dërguar në vuajtje të dënimit prej 8 muajsh e gjysmë burgim për vjedhje, është emër i njohur për Policinë edhe për raste të tjera të vjedhjeve në rajonin e Prizrenit.

Në mesin e rasteve për të cilat ishte raportuar më herët përfshihet edhe vjedhja në shtëpinë e një zyrtari të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI).

Gazeta Sinjali kishte raportuar në mars të vitit 2024 se Kadri, atëkohë 33-vjeçar, dyshohej se kishte hyrë në shtëpinë e zyrtarit të AKI-së në Prizren, prej nga kishte marrë armën zyrtare të tij, bashkë me një çantë.

Sipas raportimit të atëhershëm, Policia e kishte zbuluar Kadriun një ditë pasi kishte ndodhur vjedhja.

Përveç rastit të zyrtarit të AKI-së, Kadri dyshohej edhe për disa vjedhje të tjera, kryesisht në rajonin e Prizrenit.

Ndërkohë, në rastin për të cilin është dënuar, ai kishte marrë një dënim prej 8 muajsh e gjysmë burgim efektiv, të cilin tashmë do ta vuajë në institucionin korrektues.