Një rast i dhunës në familje me elemente të kanosjes në Fushë Kosovë ka marrë zhvillim të ri, pasi personi i denoncuar nga ish-partnerja është paraqitur në Polici dhe ka pranuar se i kishte dërguar asaj mesazhet kërcënuese, raporton ekskluzivisht Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se i dyshuari është Reshat Mekiq, 41-vjeçar, ndaj të cilit Prokurori i Shtetit ka marrë vendim për ndalim prej 48 orësh.
Rasti ishte denoncuar më 28 gusht, rreth orës 19:30, kur ish-partnerja e tij kishte kërkuar ndihmën e Policisë, duke deklaruar se ishte kanosur nga 41-vjeçari.
Sipas informacioneve të rastit, dyshja kishte bashkëjetuar më parë, por marrëdhënia e tyre kishte përfunduar rreth tre muaj më parë.
Pas denoncimit, gruaja është intervistuar nga hetuesi për dhunë në familje, ndërsa për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar inicimin e hetimeve për për veprën penale me elemente të kanosjes.
Policia kishte kontaktuar edhe Mekiqin përmes telefonit. Ai kishte deklaruar se, nëse kishte mundësi, do të paraqitej në stacion.
Një ditë më vonë, më 29 gusht, rreth orës 17:20, 41-vjeçari është paraqitur në Polici, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Gjatë deklaratës së tij, ai ka konfirmuar se kishte bashkëjetuar me ish-partneren dhe se raportet mes tyre kohëve të fundit ishin prishur.
Por detaji kryesor lidhet me mesazhet për të cilat ishte denoncuar.
Sipas informacioneve që ka Sinjali, Mekiq ka pranuar se ia kishte dërguar mesazhet kërcënuese ish-partneres, por ka deklaruar se këtë e kishte bërë “në gjendje afekti, me nervozë e sipër”.
Pas intervistimit është njoftuar sërish Prokurori i Shtetit, i cili ka vendosur që Reshat Mekiq të ndalohet për 48 orë.
Rasti vazhdon të trajtohet në kuadër të hetimeve për kanosje.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.