Është identifikuar personi që u gjet pa shenja jete më 15 tetor në rrugën “Shefqet Berisha” në Prizren.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima është Azzam Dida, rreth 73-vjeçar, ndërsa identiteti i tij është konfirmuar nga familjarët.

Rasti fillimisht ishte raportuar pasi një person ishte parë i shtrirë në skaj të rrugës, ndërsa pranë kokës kishte rrjedhje gjaku.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë Policia dhe ekipet e urgjencës, të cilat pas ekzaminimit kanë konstatuar vdekjen e tij.

Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe ka nisur hetimet.

Sipas informatave të siguruara nga Sinjali, gjatë ekzaminimit nuk janë konstatuar rrethana të dyshimta.

Pamjet e kamerave të mbikëqyrjes kanë treguar se viktima është rrëzuar vetë, ndërsa më pas ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Trupi i pajetë është dërguar për ekzaminime të mëtejshme, ndërsa rasti vazhdon të trajtohet si “Hetim i vdekjes”.