Ikja nga drejtësia ka marrë fund në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” për një 26-vjeçar, i cili gjatë verifikimit policor ka rezultuar se kërkohej me tri urdhër-arreste aktive për vepra të ndryshme penale.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se Agon Krasniqi është ndaluar më 12 shtator, rreth orës 20:30, pasi ishte paraqitur në aeroport.

Verifikimi i të dhënave të tij ka nxjerrë në pah se ndaj 26-vjeçarit ishin aktive tri urdhëresa të veçanta.

Njëra prej tyre lidhej me veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, për të cilën dënimi me gjobë prej 500 eurosh i ishte shndërruar në 25 ditë burgim.

Urdhër-arresti i dytë ishte lëshuar për veprën penale “Rrëmbimi”, për të cilën Krasniqi ishte dënuar me 2 vjet e 2 muaj burgim.

Urdhëresa e tretë lidhej me veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, për të cilën ishte shqiptuar po ashtu dënim prej 2 vjetësh e 2 muajsh burgim.

Pas realizimit të urdhëresave, 26-vjeçari është dërguar drejtpërdrejt në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali për vuajtjen e dënimit.

Kështu, një paraqitje në aeroport i ka dhënë fund shmangies së tij nga ekzekutimi i vendimeve gjyqësore.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.