Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në katër objekte ndërtimi në Gjakovë, Ferizaj dhe Gjilan, pasi gjatë inspektimeve në terren ka konstatuar parregullsi në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë.
Sipas njoftimit të Inspektoratit, dy nga objektet ku janë evidentuar shkeljet ndodhen në Gjakovë, një në Ferizaj dhe një në Gjilan.
Vendimet për ndalimin e përkohshëm të punimeve janë marrë për shkak të mungesës së masave të nevojshme për garantimin e sigurisë së punëtorëve. Punimet nuk do të lejohen të vazhdojnë deri në eliminimin e mangësive të konstatuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë.
Inspektorati ka bërë të ditur se do të vazhdojë kontrollet në terren dhe do të ndërmarrë masa ndaj subjekteve që nuk i respektojnë kërkesat ligjore për sigurinë dhe shëndetin në vendin e punës.
Po ashtu, u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që t’i zbatojnë me përpikëri standardet e sigurisë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe mbrojtjes së jetës dhe shëndetit të punëtorëve.